Gjithçka po merr për keq për kampionen e Francës dhe nënkampionen e Europës, ndërsa afron fundi i kampionatit. Fitorja e madhe në fushën e Lionit nuk pati vazhdimësi dhe Paris SG pësoi një disfatë në “Park dë Prensis” ndaj Lilës, që mund të jetë vendimtare për të vrarë shanset për të mbrojtur titullin. Skuadra e trajnerit Maurisio Poçetino humbi pikërisht ndaj atij që nuk duhej të kishte humbur, ndaj ekipit që ishte në krye të Ligës së Parë bashkë me të, dhe tani mbeti 3 pikë prapa.
Zhonatan David shënoi në minutën e 20-të për miqtë, Nejmar u përjashtua me të kuq në fund, ndërsa bashkë me avullimin e shpresave për titullin, PSG mund t’i avullojnë edhe shpresat për të mbajtur Kilian Mbapenë. Nuk mund të thuhet se Poçetino nuk pati lojtarët e duhur, pasi Mbape-Nejmar-Di Maria ishin treshja pas sulmuesit të deklaruar Kean. Verrati ishte mungesa e vetme e rëndësishme, ndërsa në mbrojtje ishin Kehrer, Markinjo, Kimpembe e Diallo dhe në portë ishte Kejlor Navas.
Kjo nuk mjaftoi dhe Lila arriti fitoren e parë në fushën e Paris SG në 25 vjet. Nuk është se vendasit nuk krijuan, përkundrazi ata patën mjaft mundësi, madje Nejmar ishte i dalluar si rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen mike, veçse në futboll luan rol edhe fati. Ndryshe nga sezoni i kaluar, ky vit nuk duket edhe aq i mbarë, me sherret në klub, me largimin e ish-trajnerit Tuhel dhe me Poçetinon që ka nevojë për kohë. Po ashtu, me Mbapenë që e ka mendjen të ngritur për të ikur. Lila kryeson me 66 pikë ndaj 63 të Paris SG, ndërsa Monako u ngjit në 62 e Lioni ka 60, ku janë luajtur 31 javë nga 38 gjithsej.
Sfidanti.al