Prezantimi i Silvinjos, sa i pasigurt Duka në “ruletën ruse” të radhës!

Dihet se kur nuk ke ndonjë ekip të madh, dhe nuk ke financa të fuqishme, zgjedhjet që do të bësh do të jenë gjithmonë “gjysmagjel”. Kështu ndodh edhe me trajnerët e kombëtares së Shqipërisë që në 20 vjet kanë kushtuar nja 5 milionë euro (e ndoshta edhe mbi 1 milionë të tjera me Silvinjon), ndërsa suksesin e vetëm të vërtetë e arritëm me De Biazin në Euro 2016. Gjithsesi, ndryshe nga herët e tjera, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u duk shumë më i pasigurt, edhe pse qeshi e bëri shaka gjatë gjithë kohës. Të paktën dy herë ai nxorri nga goja fjalinë se “ne kemi kontratë 18-mujore, por kjo nuk do të thotë se gjithçka është e përfunduar, pasi në futboll çdo gjë varet nga rezultatet”. Edhe pse Duka deklaroi se në zgjedhjen e Silvinjos nuk kishte luajtur rol ana financiare, “gojët e këqija” thonë se paga është e lartë aq sa është ndihmuar edhe nga “ai lart”, që do të thotë nga kryeministri Rama. Të shohim sesi do të jetë Silvinjoja, që energji u duk se kishte me shumicë, por shpresohet të ketë edhe taktin, edhe zgjuarsinë taktike për të arritur diçka të madhe me një skuadër që nuk është aspak e tillë.

Sfidanti.al