Premier League duket sikur bën pjesë në një tjetër planet. Kampionati elitar anglez i futbollit ka kaluar për të katërtin sezon radhazi shifrën e 2 miliardë eurove shpenzime për blerje lojtarësh. Saktësisht janë 2.1 miliardë euro dhe kjo shifër është në rritje, duke iu afruar rrezikshëm rekordit absolut prej 2.81 miliardë të verës 2023. Kulmi historik, përfshirë edhe merkaton dimërore, u regjistrua në sezonin 2022-2023 me një total prej 3.17 miliardë eurosh të investuara në blerje. Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, nuk i kurseu kritikat. “Premier League blen jashtë mase. Nuk është e qëndrueshme. Po shpërdoron. Nuk është model efikas. Është një ligë e ndikuar nga qeveria. Humbet, në total, 1.2 miliardë euro për sezon”, deklaroi ai, duke akuzuar klubet angleze se “janë të dopuara financiarisht”. Pavarësisht debateve, Liverpooli është klubi që ka shpenzuar deri tani 293.68 milionë euro, merkaton e kësaj vere, duke lënë pas Chelsean (279.65 milionë).
Blerjet e Liverpoolit
Florian Wirtz – 125 milionë
Hugo Ekitike – 80 milionë
Milos Kerkez – 46.9 milionë
Jeremie Frimpong – 40 milionë
Pécsi – 1.78 milionë
Freddie Woodman – pa karton
Kjo shifër mund të rritet nëse vjen edhe Alexander Isak. Trajneri Arne Slot e mbron filozofinë e klubit: “Shpenzojmë, por përpiqemi të balancojmë. A ka shitur Liverpooli ndonjëherë në 5-6 vitet e fundit lojtarë si Quansah, Alexander-Arnold, Kelleher apo Luis Díaz?”. Befasi e madhe është Sunderland, që ka dyfishuar rekordin historik të merkatos së klubit, duke investuar 141.4 milionë euro për: Habib Diarra (31.5 mln), Simon Adingra (24.4 mln), Enzo Le Fée (23 mln), Montassar Talbi (20 mln), Sadiki (17 mln), Granit Xhaka (15 mln), Roefs (10.5 mln), Reinildo (pa karton). Ata kanë shitur Jobe Bellingham për 30.5 milionë euro dhe nuk duan të ndjekin fatin e 6 klubeve të fundit të sapongjitura në Premier League, të cilat të gjitha ranë nga kategoria që në sezonin e parë. Arsenali nuk duket i shqetësuar nga rregullat e rentabilitetit dhe qëndrueshmërisë (RSS) të Premier League. “Topçinjtë” kanë shpenzuar 224.2 milionë euro për: Martín Zubimendi (70 mln), Viktor Gyökeres (65.6 mln), Noni Madueke (56 mln), Mosquera (15 mln), Nørgaard (11.6 mln), Kepa Arrizabalaga (5.8 mln). Trajneri Mikel Arteta nuk përjashton afrime të tjera: “Do të shohim. Merkatoja është ende e hapur, duhet ta balancojmë skuadrën. Jemi të hapur ndaj mundësive”.
sfidanti.al