Prag Uest Hem-Fiorentina, kush e fiton sot finalen në Pragë?!

Tifozët e ndjejnë veten që të gjithë fitues. Të tillë edhe ata të Uest Hemit dhe të Fiorentinës që kanë mbushur rrugët dhe sheshet e Pragës për finalen e Ligës së Konferencës. Do të luhet pikërisht në kryeqytetin e shkëlqyer të Çekisë sfida që do të dorëzojë trofeun e tretë më të rëndësishëm të klubeve në futbollin europian, trofe që vjet u dha në “Arenën Air Albania” të Tiranës. Përballë do të jenë rivalët anglezë dhe italianë që kaluan një rrugë të vështirë për të mbërritur deri këtu. Uest Hemi cilësohet favorit, edhe pse një finale është e paparashikueshme. Nën drejtimin e trajnerit Dejvid Mojes, të mbiquajturit “çekiçët” kaluan çdo pengesë dhe lanë përshtypje të mëdha.

Tekniku skocez ishte i qetë në stërvitjen e fundit të skuadrës londineze, dhe asnjë lloj mungese nuk mund ta pengojë që të mendojë për suksesin. “Mendoj se ky është një nga kulmet që mund të arrish në futboll si trajner, – tha ai, – Pra, që të arrish finalen. Ky është vetëm një fillim për ne, një ndeshje që ne kemi ardhur për ta fituar. Gjithsesi, duhet të shijojmë këtë moment, dhe të luftojmë së bashku”.

Fiorentina gjithashtu ka zhvilluar një sezon të madh. Skuadra italiane që drejtohet nga një trajner pikërisht me mbiemrin Italiano, e nisi që në gusht aventurën e saj europiane, duke sfiduar çdo parashikim. “Vjollcët” janë në finalen e dytë të edicionit, pas asaj të humbur të Kupës së Italisë ndaj Interit, dhe shpresojnë që këtë herë të kenë fat. Edhe tifozët e tyre janë të vendosur t’i mbështesin deri në fund, siç kanë bërë edhe në stërvitje.

“Emocionet janë të mëdha sidomos në momentin në të cilin erdhëm këtu në stadium, – u shpreh ai, – M’u kujtua e gjithë rruga që kemi bërë për të ardhur deri këtu, që nga plej ofi në Holandë. Një sezon i gjatë dhe i vështirë, por tani kemi mundësinë për të marrë trofeun”. Finalja nis në orën 21:00 dhe nëse Fiorentina ia del, Italia do të jetë i vetmi vend me fitues, pas suksesit të Romës sezonin e kaluar.

Sfidanti.al