U nda nga jeta kur askush nuk e priste. Futbolli i Pogradecit, por edhe ai shqiptar ka humbur një nga emrat e njohur, Festim Fetollarin. Ish-lojtari dhe ish-trajneri u shua në moshën e parakohëshme 54-vjeçare pas një sëmundjeje, ndërsa njihet për karrierën me Pogradecin dhe Skënderbeun. Fetollari ishte pjesë e ekipit pogradecar në fillim të viteve 90-të, në periudhën e tij më të mirë, në krah të lojtarëve të tjerë si Janaqi, Blaceri, Pashllari, Abazaj, Laçka apo Çekiçi. Më pas e vazhdoi futbollin tek Skënderbeu deri në vitin 1999, për t’u kthyer sërish në Pogradec. Në stol, Fetollari punoi si trajner i ekipit të parë të pogradecarëve, tek Devolli si dhe me akademinë e Pogradecit.
Ngushëllimet për të erdhën të shumta. Klubi i futbollit i Pogradecit vlerësoi kontributin e madh të Fetollarit në fushën e lojës dhe në stol. Në të njëjtën linjë edhe klubi i Skënderbeut, fanelën e të cilit Fetollari e veshi për disa kohë, ndërsa e cilësoi humbje të madhe. Bashkia e Pogradecit i jep lamtumirën dhe e falenderon për gjithçka që i dha futbollit dhe qytetit. Një ngushëllim në FB nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Sfidanti.al