E premtoi një ditë më parë dhe kështu do të ndodhë. Kombëtarja shqiptare, sipas informacionit që dha trajneri Edi Reja, do të ketë ndryshime të thella në miqësoren e sotme kundër Gjeorgjisë. Në orën 17:00 në “Arenën Air Albania” pritet të ketë 7 lojtarë të tjerë në krahasim me sfidën e së shtunës ndaj Spanjës. Kapiteni Berisha do të ulet në stol, e në vend të tij në portë do të jetë Strakosha. Mesi i fushës është një transfuzion i plotë, ku ndoshta vetëm Hysaj mund të mbijetojë që nga Barcelona. Nëse zv. kapiteni nuk aktivizohet, të 5 lojtarët do të jenë të rinj. Ramadani, Çekiçi dhe debutuesi Kristijan Asllani në qendër, dhe Roshi e Lenjani në krahë.
Në sulm besohet që Manaj do të aktivizohet në vend të Cikalleshit, kurse Uzuni ka mbetur në Spanjë. Pritet që vetëm në mbrojtje të mos lëvizë asgjë, pasi Reja do të vazhdojë t’i besojë treshes Ismajli-Gjimshiti-Kumbulla, e kjo për të përsosur mekanizmat e repartit më delikat në një skuadër futbolli. Po ashtu, Broja mendohet se do të jetë sërish titullar ashtu si ndaj iberikëve. Nga kombëtarja janë larguar lojtarët që luajnë në Spanjë, Balliu, Bare dhe Uzuni.
Formacioni i mundshëm (3-5-2): Strakosha – Ismajli Gjimshiti Kumbulla – Roshi (Hysaj) Ramadani Asllani Çekiçi Lenjani – Broja Manaj.
Sfidanti.al