Është padyshim derbi i Italisë i viteve të fundit. Me gjithë respektin për Interin e Milanin, pa harruar Romën apo Lacion, ka qenë Napoli antiJuventusi në Itali, dhe do të përpiqet të jetë edhe sot, në përballjen e javës së dytë të Serisë A. Luhet në stadiumin “Alianc” të Torinos, në shtëpinë e kampionëve që mendohet se janë favoritë, por që e kanë tepër të qartë se nuk do ta kenë të lehtë.
Në stol nuk do të kenë trajnerin Mauricio Sarri, i cili është i sëmurë me pneumoni dhe nuk po e merr veten. Mungesë e rëndësishme edhe ajo e kapitenit Xhorxho Kielini, shënues i golit në fitoren në Parmë, por për të cilin është gati zëvendësuesi, një rezervë luksi si Matijs De Ligt. Napoli nuk ka probleme të tilla, pasi Karlo Ançeloti i ka lojtarët , me një dyshim për polakun Milik.
“Do të jetë një ndeshje tepër e vështirë, – deklaroi trajneri napolitan, – ky duel do të tregojë se ku jemi me të vërtetë. Do të kemi përballë favoritët për titullin, dhe ne e dimë sesa i fortë është Juventusi, por ne kemi besim. Skuadra jonë është cilësore, dhe u forcuam edhe më shumë gjatë verës. Shpresojmë t’ia dalim mbanë dhe të nderojmë tifozët”.
Padyshim që derbi ishte lajmi kryesor i mediave sportive në Itali. “La Gazeta delo Sport” bën lojë fjalësh: “Kampionë në prerje”, duke ndryshuar vendin e një shkronje, pasi titulli mund të dilte “kampionë të Italisë”.
Media e shquar thekson diferencën në centimetra të skuadrave: Juventus-Napoli, gjigandët përballë gjenive të vegjël!
“Il Korriere delo Sport: Shumë shpejt, tronditje Kielini, Sarri mbetet jashtë. Në javën e dytë, Juve-Napoli kthehet në një sfidë plot me të papritura! “Tutosport”: Kielini, nokaut, forca kapiten! De Ligt, të takon ty! S’ka stol për Sarrin, Ançeloti i lumtur që merr Jorenten!
Juventusi do të llogarisë edhe reagimin e zemëruar të Kristiano Ronaldos, pas golit të anuluar nga VAR-i javën e kaluar në stadiumin e Parmës.
Sfidanti.al