Janë vërtet në krye, por kanë vetëm 2 pikë më shumë sesa Lajpcigu, ndërsa rivali do të kërkojë pikë në fushën e vet për të kapur Europën, pse jo sërish Championsin. Një Borusia Mynshengladbah-Bajern është gjithnjë duel i madh i Bundesligës, në program sonte në 20:30, ndërsa vendasit janë 4 pikë larg zonës Champions.
Bavarezët kanë probleme fare të vogla pasi mungojnë vetëm Arp dhe Nianzu, ndërsa Gnabri është në dyshim. Trajneri Hansi Flik do të lerë në stol kampionin e botës, Pavar, që nuk ka qenë aspak në formë të mirë kohët e fundit. Po ashtu, do të kalojë Xhoshua Kimihun në rol mbrojtës në mesfushë, pra jo në krahun e djathtë sipas lëvizjes që bëri në ndeshjen ndaj Maincit. Në atë pozicion do të jetë Niklas Zyle. Në stol do të ulen lojtarë shumë të mirë si portieri Nybel, pastaj Lykas Hernandez, Dagllas Kosta, Havi Martinez apoToliso.Vendasit e trajnerit Marko Roze kanë më shumë dhimbje koke. Turam është i pezulluar, ndërsa Lazaro, Kizera dhe Rajc janë të dëmtuar.
Forma e Bajernit ka qenë shumë e mirë së fundmi, edhe pse jo e shkëlqyer, pasi në 10 ndeshje kanë barazuar 4, ndonëse nuk kanë humbur asnjë. Ndryshe puna me Gladbahun që ka 3 humbje e 3 barazime në 10 të fundit. Si bilanc total, kampionët kanë dyfishin e fitoreve (50 me 25) ndërsa 29 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Sidoqoftë, në 5 ndeshjet e fundit në “Borusia Park” vendasit kanë arritur 3 fitore dhe kanë pësuar 2 humbje.
Gladbahu (4-2-3-1): Zomer, Lainer, Gintr, Elvedi, Bensebaini, Kramer, Nojhauz, Hofman, Shtindl, Plea, Embolo. Tr. Roze.
Bajerni (4-2-3-1): Nojer, Zyle, Boateng, Alaba, Dejvis, Gorecka, Kimih, Sane, Myler, Koman, Levandovski. Tr. Flik.
Sfidanti.al