Do të jetë ndeshja përmbyllëse e një sezoni të madh. Liga e Kampionëve i jep fund një tjetër kapitulli, por jo përpara sesa Reali i Madridit dhe Liverpuli të luajnë finalen e Kievit. Dueli i orës 20:45 në “Stadiumin Republikan” pritet të jetë një spektakël për cilësinë dhe stilin e lojës së skuadrave që do të jenë përballë. Po ashtu edhe për historinë, pasi Reali ka 12 Champions ndaj 5 të Liverpulit.
Spanjollët numërojnë në formacion disa nga yjet më të mëdhenj të botës, ndërsa përvoja e tyre është e madhe me dy Liga të Kampionëve të fituara radhazi. Ronaldo, Benzema, Modriç, Kros, Ramos, Marselo apo Varan mjaftojnë për t’i përmendur.
Anglezët përgjigjen me “futbollin dinamit” të trajnerit Jurgen Klop, me futbollin e quajtur ndryshe “Heavy Metal”, ashtu si dikur tek Dortmundi.
Liverpuli e nisi Championsin nga plej ofi, kundër Hofenhajmit. Në total, ai ka shënuar këtë sezon plot 46 gola (16 të pësuar), nga të cilët 40 që nga faza e grupeve deri në gjysmëfinale. Reali ka një bilanc pak më modest për golat, me 30 të shënuar e 15 të pësuar, nga të cilët gjysmën i ka realizuar Kristiano Ronaldo (15).
Sipas mediave sportive europiane, tre do të jenë duelet vendimtare në fushë, Ronaldo-Van Dajk, Salah-Marselo e Modriç-Henderson.
Të dy trajnerët janë treguar të kujdesshëm me deklaratat e tyre. Ai i Realit, Zidan, theksoi se “ne nuk jemi aspak favoritë, finalja është si llotari dhe gjithçka mund të ndodhë”. Klop e pati me të vetët: “Lojtarët e mi duhet të luajnë sot “futbollin e topeve të mëdha”.\
Kompanitë e basteve natyrisht japin favorit Realin. Madrilenët kanë koeficientin 1.65 për të ngritur kupën, ndërsa anglezët e kanë 2.30, pavarësisht nëse kjo ndodh në 90 minuta, në 120 apo pas penalltive. Fitorja e Realit jepet 2.15, barazimi 3.80 dhe fitorja e Liverpulit ka kuotë 3.25.
Formacionet e mundshme:
Reali: Kejlor Navas, Karvahal, Varan, Ramos, Marselo, Kros, Kasemiro, Modriç, Isko, Benzema, Ronaldo. Tr. Zidan
Liverpuli: Karius, Aleksandër-Arnold, Van Dajk, Lovren, Robertson, Vajnaldum, Henderson, Milner, Salah, Firmino, Mane. Tr. Klop