Prag Champions, si “do t’i vejë halli” Juventusit e Milanit?!

Dy skuadrat italiane kanë ndeshje për jetë a vdekje në Ligën e Kampionëve këtë të martë. Juventusi e Milani kanë nevojë për fitore, madje torinezët e kanë të detyrueshme nëse do të duan të kenë shpresë për t’u kualifikuar për në raundin tjetër. Në lojë janë të paktën 20 milionë euro si fitime, por edhe prestigji dhe vazhdimi i projektit sportiv. Juvja luan në Lisbonë ndaj Benfikës duke pasur vetëm 3 pikë në 4 ndeshje, dhe detyrimisht duhet të fitojë dy të mbeturat. Të parën e ka sonte në “Estadio da Luz”, dhe të dytën në Torino ndaj Paris SG.

Trajneri Alegri thotë se “ne na bën punë vetëm një rezultat, pra e kemi si finale”. Ai gjithsesi ka besim pasi “zebrat” e morën veten në Serinë A me dy fitore radhazi ndaj Torinos dhe Empolit. Mungojnë Pogba, Kieza e Di Maria, po ashtu Paredes. “Jam i sigurt se do të shkojë mirë”, – janë fjalët e teknikut.

Milani ndoshta e ka më pak të domosdoshme fitoren në Zagreb pasi do të presë edhe Salcburgun në shtëpi më pas, dhe këta janë rivalë më të pranueshëm sesa Benfika apo Paris SG që ka Juvja. Gjithsesi, trajneri Pioli ka shumë dëmtime si dhe pezullime Tomori, Menja, Ibrahimoviç, Diaz dhe Selemekers nuk udhëtojnë për në Kroaci, në lojën ndaj një skuadre që arriti të mundë Çelsin në javën e parë.

Formacionet e mundshme

Juventusi (4-4-2): Shezni, Danilo, Bonuçi, Rugani, Kuadrado, Mekkeni, Lokateli, Rabio, Kostiç, Milik, Vlahoviç.

Milani (4-4-2): Tatarushanu, Kalulu, Gabia, Kjer, Teo Hernandez, Tonali, Benaser, Mesias, De Keteler, Leao, Zhiru.

Grupi E

Salcburg-Çelsi 18:45

Dinamo Zagreb-Milan, 21:00

Çelsi 7, Salcburgu 6, Milani 4, Dinamo Zagreb 4.

Grupi H

Benfika-Juventus

Paris SG-Makabi Haifa

Paris SG 8, Benfika 8, Juventus 3, Makabi Haifa 3.

Sfidanti.al