Në një kampionat që nuk ka asnjë shans barazie financiare, një klub me të vërtetë i vogël po sfidon një superfuqi si Paris SG. Është Lila në krye të Ligës së Parë të Francës, pasi ka arritur 6 fitore radhazi, ndërsa po mban hapin e PSG-së dhe të Lionit, dikur 7 herë kampion radhazi. Çfarë e bën kaq të fortë skuadrën që nuk mbështetet në ndonjë buxhet të jashtëzakonshëm? Një analizë e revistës gjermane “Kikers” thekson se një meritë të madhe ka një njeri që nuk ndodhet më aty, ish-drejtori sportiv Luis Kampos. Ish-bashkëpunëtori i Zhoze Murinjos shkëlqeu tek Monako duke sjellë lojtarë ende jo shumë të njohur e duke i transferuar shtrenjtë si Hames Rodrigez, Falkao, Fabinjo, Antoni Marsial apo Bernardo Silva.
Këtë bëri edhe tek Lila pasi mori Nikola Pepen për 10 milionë dhe e shiti 8 herë më shumë tek Arsenali, Osimheni u mor lirë dhe u ble për 70 milionë euro nga Napoli, po kështu Rafael Leao (Milan), Gabriel (Arsenal) dhe Tiago Mendez (Lion). Në radhë është Renato Sançez, portugezi që nuk pati fat tek Bajerni, dhe që po shkëlqen në Francë, aq sa Lila hodhi poshtë 70 milionë euro për kartonin e tij. Skuadra është forcuar me lojtarë të tjerë si David, Botman, Fonte, Burak Jilmaz, Zeki Çelik apo Juzuf Jazixhi. Gjithsesi, modeli sërish nuk po funksionon nga ana financiare, pasi klubi u rrezikua nga falimentimi dhe ndërroi pronar në dhjetor. Pronarët e rinj e kanë vënë theksin më shumë tek akademia pasi dikur Lila prodhonte talente si Pavar, Riberi apo Hazar, ndërsa sot vetëm 1 lojtar në ekip është nga akademia. Sidoqoftë, le të synojnë të fitojnë titullin si fillim.
Sfidanti.al