Të kuptohemi, Stiven Çan nuk do të ishte i pari që do ta kërkonte apo që do ta bënte. Klube të tjerë nëpër Europë, në Gjermani, Angli, Francë, tek Reali apo Barcelona, kanë qenë të detyruar për të ulur shpenzimet, pra edhe për të ulur rrogat. Presidenti i Interit pritet t’i kërkojë sot të njëjtën gjë futbollistëve të tij, veçse duket si një ironi, si një koincidencë e dhimbshme, pasi kjo do të bëhet menjëherë pas fitores së titullit kampion. “La Gazeta delo Sport” shkruan se klubi zikaltër ka bërë llogaritë dhe mendon se shpenzimet duhet të ulen me të paktën 2 muaj rroga. Kaq do t’u kërkohet lojtarëve që të sakrifikojnë, dhe natyrisht që do të ndikojë vendimi i trajnerit Antonio Konte, i Lukakut apo i kapitenit Handanoviç. Administratori i deleguar i Interit, Bepe Marota, thekson se “ky model duhet të ndryshojë sepse në momentet e tanishme është model që na falimenton”. Që do të thotë se kontratat janë firmosur në periudhë lulëzimi, jo në kohë Kovidi, madje për Italinë ka shkaqe edhe më të forta sesa epidemia.
Sfidanti.al