Pas kombëtares, Armando Broja “pushton” edhe Premier Ligën, synon formacionin tek Sauthemptoni!

Një veprim si ai që bëri të dielën duket se e ka mësuar përmendësh. Kush e ka harruar golin me të cilin Armando Broja i dha fitoren Shqipërisë ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena”, në sfidën eleminatore për Kupën e Botës? Të njëjtin aksion, madje edhe më të bukur, sulmuesi shqiptar e realizoi në Premier Ligën angleze, kur thuajse shënoi për Sauthemptonin ndaj Uest Hemit. Broja u aktivizua vetëm pas pushimit nga trajneri i tij Hazenhutël, por tregoi menjëherë se çfarë forme zotëron dhe se çfarë cilësish ka.

Paraqitja e tij ishte kaq e mirë ndaj një rivali të fortë, të përforcuar mirë këtë verë, saqë mediat angleze e veçuan nga të gjithë shokët e skuadrës, dhe po ashtu nga futbollistët kundërshtarë. Futbollisti 20-vjeçar mori notën e shkëlqyer 9, për kontributin e madh në barazimin 0-0, i cili në të vërtetë duhej të kishte qenë një fitore në stadiumin e “Shën Mërisë”. Në tjetër media lokale i bënte thirrje trajnerit austriak që ta akvizitonte titullar Brojën pasi e meritonte me atë që tregoi.

Sulmuesi kuqezi krijoi 3 raste për gol, dy herë për vetveten dhe një herë për një shok të ekipit, duke shfrytëzuar shpejtësinë e madhe, aftësinë për gjuajtje, teknikën me topin në këmbë dhe lojën në ajër. Në fund, vetëm teknologjia në vijën fatale i hoqi kënaqësinë e golit të parë në Premier Ligë, ndërsa më herët ka shënuar dy herë në Kupën e Anglisë. Në fund, shqiptari bëri debat me arbitrin, ndërsa është i bindur se goli do të vijë shpejt.

Sfidanti.al