Pas Alabës edhe Boatengu, Bajerni planifikon 4-en e mbrojtjes!

Një kryevepër e krijuar me pjesëmarrjen e njerëzve nuk mund t’i rezistojë kohës, përveçse përmes kujtimit të saj. Edhe Bajerni i vitit 2020 do të mbetet padyshim në histori, veçse njerëzit nuk e frenojnë dot moshën dhe as nuk i ndalojnë ndryshimet e planeve për të ardhmen. Nga kryevepra e Hansi Flikut u largua i pari Tiago Alkantara, ndërsa tani pritet të ikin dy shtylla të mbrojtjes, David Alaba dhe Zherom Boateng. Austriaku është e sigurt se nuk do të rinovojë dhe në qershor do të gjejë ekip tjetër.

Kampioni i botës i vitit 2014 me Gjermaninë, gjithashtu është në muajt e fundit të kontratës dhe ende nuk ka bisedime. Takimi mes palëve pritet të jetë në mars, dhe Boatengu ose do të largohet, ose do të duhet të pranojë një rol “mbështetës”. Revista “Kiker” shkruan se trajneri Flik po mendon për katërshen-bazë të mbrojtjes të përbërë nga Dajot Upamekano (22 vjeç), Niklas Zyler (25), Lykas Hernandez (24) dhe talenti i ri Tangui Nianzu (18). Bavarezët kanë besim se do ta marrin në verë Upamekanon nga Lajpcigu për 43 milionë euro, ndonëse atë e kërkon edhe Tomas Tuheli tek Çelsi.

Sfidanti.al