Partizani, mallkimi vjen nga jashtë apo nga brenda?

Mlladen Milinkovic e cilësoi humbjen një disfatë të rëndë, e madje nuk u kursye të aludonte edhe për një dorë më të madhe në këtë katrahurë që ka ndërtuar Partizani. Serbi ia vuri fajin një mallkimi të mundshëm për ecurinë katastrofike ku humbja në derbi i vendosi kapakun dyshimeve për brishtësinë e skuadrës së kuqe. Megjithatë, Milinkovic duhet të na thotë edhe dyshimet që ka për emrin që e ka mallkuar skuadrën, përndryshe duhet ta çojë gjithë ekipin tek magjistarja e famshme serbe ku falen ditë e natë lojtarët e dëmtuar, në jo pak raste edhe ata shqiptarë.

Ndoshta Milinkovic ka të drejtë në fund të fundit, mallkimi mund t’i ketë prishur punë atij dhe skuadrës që e pranoi me aq dëshirë, por ndoshta mallkimi nuk është thjesht një dëshirë e dikujt për t’i bërë keq por paaftësia e drejtuesve për të ndërtuar një skuadër të denjë dhe me dëshirë e në këtë rast janë ata që duhet të përgjigjen për çdo dështim të Partizanit. Kjo nuk eshte më thjesht një çështje trajnerësh…

Nga Pirro Bardhyli