“Paraja hedh ujin përpjetë”, Siti më në fund është klubi më i pasur në botë!

Nëse financohesh nga një burim i fuqishëm, herët a vonë do t’ia dalësh. “Fqinjët e zhurmshëm” të Mançester Sitit tashmë kanë kaluar Mançester Junajtidin dhe çdo klub tjetër në Europë për të qenë numri 1 i rruzullit. Raporti i fundit i kompanisë së specializuar “Deloit & Tush” (Deloitte & Touche) tregon se Siti arriti një xhiro vjetore të të ardhurave prej 644.9 milionë eurosh (541 milionë paundë stërlina) apo 712 milionë USD. Kjo është një rritje prej 17 përqindësh, dhe është 4.2 milionë euro më lart sesa Reali i Madridit që mban vendin e dytë. Barcelona është në vendin e tretë ndërsa Mançester Junajtidi është në vend të katërt. Këta 4 klube janë të vetmit që kanë udhëhequr listën e më të pasurve të botës gjatë gjithë historisë kur është krijuar kjo renditje. Nga 20 klubet e parë, 11 janë të Premier Ligës angleze, përfshi edhe Uolvesin.

Sfidanti.al