Paolo Maldini: Nuk pati garë me Interin, duhet forcuar Milani!

Paolo Maldini ka treguar edhe një herë se përse konsiderohet si një legjendë e futbollit. Edhe në një mbrëmje të vështirë pas eliminimit të Milanit nga Champions, drejtori sportive kuqezi ka pranuar humbjen dhe diferencat e skuadrës së tij me rivalët.  Të jesh një legjendë e futbollit si Paolo Maldini do të thotë edhe të vlerësosh rivalët dhe të pranosh humbjen. Si gjithmonë i drejtpërdrejtë drejtori sportiv i Milanit edhe pas një humbjeje dhe eliminimi nga Champions League që dhemb akoma më shumë kur vjen nga një rival i përjetshëm si Inter.

“Diferenca është e dukshme, – tha ai, – Në 4 ndeshjet e fundit nuk ka pasur konkurrencë. Derbi i fundit u luajt pak më mirë, por gjithçka ishte e kompromentuar nga rezultati i ndeshjes së parë. Është mënyra e lojës së Interit ajo që na trondit dhe nuk gjejmë kundërmasa, por nuk duhet harruar se kemi luftuar edhe kundër skuadrave më pak të forta se Interi në periudhën e fundit pa arritur atë që donim”.

Maldini ka folur edhe për të ardhmen. Direkt edhe në këtë pikë, duke kërkuar më shumë investime nga pronarët e klubit. “Te Milani nuk lejohet të ndihesh i ngopur, – deklaroi ai, – Mendoj se kjo skuadër ka mundësi për t’u shfrytëzuar. Rikthimi në këtë nivel duhet shfrytëzuar, edhe ekonomikisht duke investuar për të qëndruar në mesin e katër më të mirëve dhe për të bërë mirë në Serinë A”. Paolo Maldini është shënjestruar nga një pjesë e tifozëve në lidhje me merkaton. Duke iu përgjigjur këtyre kritikave, legjenda kuqezi është shprehur se investimi te lojtarët e rinj është rruga që do të ndjekë klubi edhe në të ardhmen.

Sfidanti.al