Disa orë para ndeshjes me Kremonezen, “La Gazeta delo Sport” dha dy lajme të kundërt. Fillimisht, që Kristjan Asllani duhej të ishte titullar në vend të Marcelo Brozoviçit, dhe më pas që mesfushori kroat do ta ruante vendin e tij në formacion. Kështu edhe ndodhi sepse “lajmi i dytë rrëzon të parin”, por gjithsesi në festën e fitores 3-1 të Interit pati vend edhe për 20-vjeçarin shqiptar. Asllani hyri në fund në minutën e 72-të, pikërisht në vend të Brozoviçit, ndërsa rezultati u ngjit shpejt në 3-0 falë Lautaro Martinezit që gjithashtu hyri nga stoli. Më herët ishin shënuar Korrea dhe Barela. Nuk është se pati shumë për të bërë për lojtarin kuqezi, sepse zikaltërit ishin në avantazh të thellë dhe më shumë administruan rezultatin që në fund ishte 3-1. Gjithsesi, rëndësi ka fakti që Asllani po e bind gjithnjë e më shumë trajnerin Inzagi, i cili përpara ndeshjes e mendoi edhe si titullar, ndërsa pas 5 minutave ndaj Specias, fitoi rreth 20 minuta kundër Udinezes! Rrugë të mbarë!
Sfidanti.al