Novicki kalon Çembërlenin në mbrëmjen magjike të Donçiçit

Pak ditë më parë, Lebron Xhejms u ngjit mbi Majkëll Xhordanin në renditjen e shënuesve më të mirë të NBA-së, në vend të 4-ët për të gjitha kohët. Sot një tjetër legjendë bëri një parakalim po kaq legjendar, Dirk Novicki la pas Uilt Çembërlenin pasi shënoi 8 pikë në ndeshjen e Dallasit ndaj Nju Orlinsit. Gjigandi gjerman, tashmë në vend të gjashtë, ka 31 424 pikë ndaj 31 419 të Çembërlenit të madh.

Xhordani është rreth 800 pikë larg, por nuk dihet nëse 40-vjeçari do të vazhdojë edhe një sezon tjetër në NBA, për ta synuar. Novicki ka 21 sezone me Dallasin, një rekord i basketbollit amerikan në një skuadër të vetme, duke qenë një “revolucionar” në ligën më të fortë të botës, pasi është një shtatlartë (2.13 metra) që gjuan shumë mirë për tri pikë.

Përtej arritjes së Dirkut, mbrëmja ishte e shkëlqyer për Luka Donçiçin, edhe pse Dallasi humbi, madje në shtëpi. Debutuesi nga Sllovenia pati një tjetër tripëll dabëll, me 29 pikë të shënuara, 13 topa në tabela e 10 asistë, por Nju Orlinsi ia doli 129-125 në Arenën e Dallasit.

Sfidanti.al