Një trajner i suksesshëm, por sa fat që ka ky Karlo Ançeloti

Për shumë vite luajti për një ekip me emër të shquar në Itali e në Europë, por që nuk ka fuqinë financiare për të fituar trofe. Karlo Ançeloti derdhi djersën për fanelën e Romës me të cilën mori një Seri A në 1983 dhe 4 Kupa të Italisë si dhe arriti një finale të Championsit (Kupa e Kampionëve në atë kohë) humbur ndaj Liverpulit. Ishte një Romë me Falkaon, Kontin, Prucon, Gracianin, Serezon, Vierkovudin apo Di Bartolomeon. Më pas, fati i ndriti Ançelotit sepse shkoi tek Milani që e kishte blerë Silvio Berluskoni. Me këtë president ndodhte si në përrallat e 1001 netëve ku çdo dëshirë plotësohej dhe me ekipin e holandezëve, të Maldinit e Barezit, Karleto fitoi 2 Champions.

Si trajner fitoi gjithashtu dy Champions me Milanin, kur kishte në ekip të tillë si Shevçenkon, Zedorfin, Gatuzon, Kafunë, Stamin, Maldinin, Kakanë, Krespon, Pirlon, Nestën, Inzagin, Rui Kostën, Kostakurtën apo të tjerë, pra “çfarë të donte zemra”. Bashkë me dy Championsët e fituar me Realin, Ançeloti bëhet i pari trajner në histori që merr 4 të tilla, ndërsa ka edhe 2 si lojtar. Gjithsesi, që të gjitha bashkë nuk bëjnë sa Championsi i Rafa Benitezit me Liverpulin në 2005 që fitoi me Smiçerin, Hamanin, Dudekun, Finanin, Hupian, Traoren, Kjuellin, Risen apo Milan Baroshin. Po ashtu, nuk mund të krahasohen me trofetë që Sër Aleks Fergusoni fitoi me Aberdinin.

Sfidanti.al