Ky njeri ngjan vërtet me legjendat më të mëdha të sportit. Tom Bredi u deklarua i marrë fund një sezon më parë, por heroi i madh i futbollit amerikan u rikthye si kampion. Në moshën 43-vjeçare ai fitoi titullin e 7-të, një rekord në NFL, duke qenë lojtari më fitues i historisë së futbollit amerikan. Bredi udhëhoqi skuadrën e tij, Tampa Bej Bakënirs në finalen e dominuar ndaj kampiones së sezonit të kaluar, Kanza Siti Çifs, që përfundoi 31-9 dhe që u luajt pikërisht në Tampa.
Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm për fitoren dhe për rekordin e Bredit, edhe pse në stadimin “Rej Xhej” u ndodhën rreth 22 000 tifozë, nga mbi 65 000 që e ka kapacitetin. Bredi fitoi duelin me rivalin e madh, Patrik Mahomes, që u shpall vjet kampion dhe lojtari më i mirë i ligës. Ai ka tani më shumë tituj jo vetëm se çdo lojtar, por edhe se çdo skuadër, sepse Nju Inglënd Patriotsët kanë 6, po aq sa Pitsburg Stilërs.
Në mbi 20 vjet karrierë në Ligën Profesioniste, ai fitoi edhe 6 tituj pikërisht me Patriotsët, ndërsa po i afrohet 400 ndeshjeve në karrierë. Një sukses i krahasueshëm me legjendat e sporteve të tjerë si Bill Rasëll, Majkëll Xhordan, Mikael Shumaher, Usain Bolt, Larisa Latinina, Sergej Bubka, Majkëll Felps, Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo Pas fitores, ai hodhi poshtë çdo aludim për tërheqje nga sporti duke theksuar se shikon nga e ardhmja, pavarësisht nga mosha 43-vjeçare.
Triumfi i skuadrës së Tampa Bejt në Superboul ishte një sukses i madh edhe për trajnerin Brus Arian, i pari si drejtues skuadre, ndërsa në të kaluarën doli dy herë kampion si ndihmëstrajner me Pitsburgun. Së fundi, një fitore e madhe për pronarët e klubit, pjesëtarët e familjes Glejzër. Edhe pse nuk janë aspak popullorë në Angli si pronarë të Mançester Junajtidit, ata gëzojnë status krejt tjetër në Shtetet e Bashkuara, ku blenë aksionet e Tampa Bejt në 1995 për ta bërë më në fund një fuqi në futbollin amerikan me titujt në 2003 dhe 2021.
Sfidanti.al