Një “Komisar Memo” për “Komandant Rrapot” e klubeve tona!

Në kohën e luftës, ndërsa pjesa më e madhe e popullit ishte ende analfabet, u hapën kurse për të mësuar shkrim e këndim, dhe natyrisht më shumë rëndësi iu vu komandantëve. Një nga ikonat e letërsisë shqipe, Dritëro Agolli, e përjetësoi këtë në romanin e tij “Komisari Memo”.

Ndoshta, ndonjëri prej nesh, gazetarëve sportivë, duhet të shkruajë, në mos një roman, të paktën një novelë për Komandant Rrapot e sotëm të klubeve sportivë (të futbollit, në radhë të parë, meqë janë më të ndjekurit). Komandant Rrapot e klubeve tona, përgjithësisht, nuk dinë nga mbahet lapsi, nuk kanë respekt për njerëzit “e shkruar” e “të kënduar” dhe kuptohet që punët u shkojnë “mysybet”.

Një klub në kryeqytet mund të ketë qindra milionë apo edhe 1 apo 2 milardë lekë (të vjetër) borxhe, por nuk di nga ta nisë, a thua se në botë nuk ka raste kur ke hyrë në borxh, madje me qindra milionë dollarë, euro apo paund stërlina, dhe i ke larë. Për këtë gjë, ama, duhet një plan biznesi, që të mund të sigurosh kredi në bankë, e “të dalësh mbi ujë”.

Ka një klub në kryeqytet që ka edhe stadiumin në përdorim, dhe nuk di t’i marrë të ardhurat, madje ka edhe akademi ku familjet e fëmijëve paguajnë nga 70 000 lekë (të vjetër) në muaj, dhe sërish klubi “nuk del dot mbi ujë”.

Është edhe një klub tjetër që ka kompleksin më shumë në letër sesa në tokë, të cilit i janë premtuar dy fusha futbolli nga Federata, por që nuk mund të bëhen nëse nuk përfundojnë punimet e tjera. Ka edhe një klub në veri, që është publik, por që ka 1 miliardë lekë (të vjetër) borxh), por ka edhe Drejtori Tatimesh e Ministri Financash, që e shohin “ujkun” para syve dhe kërkojnë “gjurmët”.

Gjithsesi, ka një pikë ku komandantë Rrapot e klubeve tona kanë të drejtë. Ata paguajnë rroga të larta dhe tatimet për këto rroga janë padyshim të larta, gjithashtu, nëse ndërtojnë një fushë futbolli, paguajnë tatime sikur ndërtojnë një pallat. A nuk mundet që qeveria dhe pastaj Kuvendi i Shqipërisë ta ndryshonin këtë gjendje.

Thënë kjo, sërish komandantë Rrapot tanë e kanë fajin vetë, dhe u duken “komisarët” për t’i mësuar. Nëse ata nuk bëhen bashkë (ja pra, e kanë ligën) dhe nuk kërkojnë të mbrojnë interesat e tyre (të bëjnë lobing, sipas shqipes së sotme), kush do të mendojë për ta? Le të shohin, jo larg, por Kosovën, ku ligji i favorizon ata që financojnë në sport, duke u hequr deri 30 për qind të tatimeve. Ne sot jemi deri tek 4 apo 5 përqindëshi.

Sfidanti.al