Nga Pogba tek Higuain, Juventus i ka bërë mirë llogaritë!

Në Gjermani është Bajerni modeli për t’u marrë shembull. Në Itali, fare mirë mund të jetë Juventusi. Klubi me traditën më të rëndësishme fituese në Apenine, me trashëgiminë menaxheriale të FIAT-it dhe me pushtetin e madh që të jep kryeqendra e Piemontit, mbylli gjysmën e parë të sezonit 2016-2017 me bilanc tepër pozitiv. Të dhënat që vijnë nga Torino janë për 72 milionë euro plus, në një kohë që klube të tjerë italianë i kanë bilancet në të “kuqe”, siç thuhet në Itali, apo që “kanë dalë me këpucë të kuqe”, siç thuhet në Shqipëri.

Vjet, në të njëjtën periudhë, Juventusi ishte në rreth +30 milionë euro, ndërsa këtë herë një përmirësim më shumë se dyfish. Transferimi i lojtarëve në largim (sidomos Pogba) kanë sjellë 115 milionë euro të ardhura, po ashtu arkat e klubit janë mbushur me 125.4 milionë euro nga mënyra të ndryshme të biznesit (vjet ishin vetëm 53 milionë euro). Po ashtu, borxhi është ulur nga 199 në 174 milionë euro. Edhe pse në gjysmën e dytë të vitit do të ketë rritje të shpenzimeve, pasi duhet të vazhdohet me pagesën e 90 milionë eurove për Gonzalo Higuainin, sërish Juventusi beson se përfundimi do të jetë pozitiv.

Sfidanti.al