Edhe vetë mediat, të përfshira në qerthullin e tërheqjes së vëmendjes, dhe të lexueshmërisë sa më të madhe, kontribuojnë në kaosin e sotëm në atë që ndodh pas perdeve në futboll. Rrokopuja është e plotë kur flitet për Paulo Dibalën, lojtarin që e kritikuan dhe e dënuan tek Juvja pas festës në shkelje të ligjit, që e ngritën në qiell pasi shënoi ndaj Napolit, ndërsa tani po e japin sërish si “djalin që nuk e duan në shtëpi”. “La Gazeta delo Sport” shkruan se Dibala mund të largohet nga Juventusi, ndërsa vazhdon dueli mes palëve për rinovimin e kontratës. Nuk dihet saktë se cila është diferenca, por dihet që klubi ndoshta do të donte të përfitonte financiarisht në këtë kohë krize financiare, ndërsa kontrata e argjentinasit përfundon në 2022. Gjithsesi, trajneri Pirlo u shpreh pas Napolit se do të ishte mirë që Dibala të bindej për të qendruar. Pra, cila është e vërteta? Deri në verë me siguri do ta mësojmë sepse nuk mund të ketë shtyrje më tej për një lojtar kontrata e të cilit përfundon në 2022.
Sfidanti.al