Nga Brigeli tek Reja, 3-4 milionë euro rroga për një kualifikim Europian me trajnerët e huaj!

I pari nuk la ndonjë gjurmë, ndërsa u dashuruam me të dytin. Nga Dosena tek Hans-Peter Brigel, kombëtarja shqiptare provoi dy trajnerët e saj të parë të huaj në histori që pas viteve 40-të e 50-të, kur kishim një jugosllav e një sovjetik. Italiani zgjati vetëm dy ndeshje, ndërsa për gjermanin nuk harrojmë fitoren 2-1 ndaj Greqisë kampione të Europës në 2004, ndërsa po kalon viti i 20-të me teknik të huaj në stolin kuqezi. Viti që vjen do të jetë i 21-ti, e do të pasohet sërish me një joshqiptar, ndërsa bilanci është me 8 trajnerë të tillë. Pas Brigelit, që qendroi dy edicione dhe zuri një vend të katërt në eliminatoret e Europianit, erdhi kroati legjendar Oto Bariç, veçse në moshë të madhe, ndërsa pas tij një holandez i famshëm si Ari Han. Ish-ylli i Ajaksit dhe Holandës së futbollit total nuk tregoi diçka fluturuese me Shqipërinë dhe largimi ishte me të vërtetë pa lavdi me ekipin në vend të parafundit në eliminatoret e Botërorit 2010.

Pasardhësi i Hanit ishte një tjetër kroat, Josip Kuzhe. Një profesionist që adhurohej nga tifozët në vendin e tij e që pati raporte shumë të mira me ultrasit edhe në Shqipëri, ndonëse nuk mundi ta ndryshonte fatin e kuqezinjve duke dalë gjithashtu në vend të 5-të në grupin eliminator të Euro 2012-ës.

Ndryshimet nisën me Xhani De Biazin. Italiani energjik dhe inteligjent u përshtat shumë shpejt me vendin dhe njerëzit, po ashtu me ekipin. Pasi nuk ia doli në edicionin e parë, duke zënë vend të pestë në eliminatoret e Botërorit 2014, De Biazi pati shpërthimin në Euro 2016. Për herë të parë dhe të fundit, Shqipëria arriti fazën finale, shënoi golin e parë dhe realizoi fitoren e parë, atë ndaj Rumanisë. Më pas, standardi nuk u ul shumë me dy vende të treta eliminatore, ndërsa pasardhësi i tij, Kristian Panuçi, ishte më shumë një intermexo pa sukses, që mbeti edhe pa gjurmë. Edi Reja ishte italiani i radhës, i katërti, dhe trajneri i huaj i fundit. Pasi arriti një ngritje në kategori në Ligën e Kombeve duke mbërritur në nivelin B, veterani i stolit e pati më të vështirë.

Pavarësisht fitoreve të bujshme ndaj Hungarisë falë golave të Brojës, kualifikimi nuk Botëror nuk u realizua, ndërsa Liga e Kombeve që erdhi më pas ishte një dështim. Tashmë Reja është i larguar dhe pritet Xhampaolo. Në 20 vjet, janë shpenzuar 3-4 milionë euro për rrogat dhe është arritur një finale Europiani, ndërsa nuk dihet sesi do të kishte qenë bilanci me trajnerët shqiptarë.

Sfidanti.al