Neymar Junior, pjesë e Al Hilalit në Arabinë Saudite, është përfolur ditët e fundit për një transferim të mundshëm në MLS tek Inter Miami. Për këtë temë është pyetur trajneri i skuadrës nga Florida, Tata Martino, i cili mohoi se në një të ardhme të afërt do të rishohim të bashkuar MSN-në e famshme të Barcelonës (Messi-Neymar-Suarez). Arsyeja është rregulli i kufirit të pagave në MLS. “Është absurde, duhet të flasim me fakte. Fillimisht duhet të analizojmë se çfarë ofron liga dhe nëse kjo është vërtet e mundur. Nisur nga kjo, sot është e pamundur, ndaj nuk ka më vazhdimësi në këtë bisedë”, tha Tata Martino në një konferencë për shtypin, pavarësisht se pranoi se prania e Messit në Miami, mund të ndihmonte për nënshkrime më të rëndësishme. “Me ardhjen e Leos dhe të tjerëve, gjithçka mund të ndodhë. Ajo që nuk mund ta imagjinoj është që, nëse liga nuk e bën më fleksibël çështjen e kufirit të pagave… si do të bëhej kjo, sepse atëherë ta shkruash apo ta thuash në media nuk bën dëm, asgjë nuk ndodh, nuk ka pasoja, por si do të vihej në praktikë? Askush nuk shpjegon”, tha trajneri argjentinas.
sfidanti.al