Nuk kishte si shkonte më mirë ndeshja e fundit për kombëtaren që është pesë herë kampione e botës. Brazili triumfoi në fushën e Paraguajit me shifrat 2-0, dhe kjo ishte fitorja e parë në Asunsion pas 35 vjetësh. Nejmar dhe Luka Paketa ishin autorët e golave dhe brazilianët i kanë fituar deri tani të gjitha ndeshjet në eleminatoret e Kupës së Botës duke qenë të sigurt për kualifikimin për në Katar.
Suksesi i fundit ishte në qershor 1985, në një kohë që tek Brazili luanin Sokrates, Ziko, Falkao, Kareka, Alemao, Edinjo, Branko, Zhulio Sezar, Zhunior e të tjerë. Duke u kthyer tek ndeshja e fundit, Nejmar arriti në 66 gola për ekipin përfaqësues, duke iu afruar rekordit të Pelesë me 77, ndonëse sulmuesi i Paris SG është larg klasit të “Mbretit” që ka shënuar 0.84 gola për ndeshje ndaj 0.63 të Nejmarit. Pas kësaj fitoreje, mësohet se lojtarët e kombëtares së Brazilit pranuan që Kupa e Amerikës së Jugut të organizohet në vendin e dytë, dhe ata deklaruan se do të luajnë.
Sfidanti.al