Nedim Bajrami e ka realizuar më në fund dëshirën për të kaluar në një skuadër më të fortë të Serisë A. Mesfushori i kombëtares shqiptare do ta vazhdojë karrierën tek Sasuolo, ndërsa transferimi nga Empoli mund të arrijë në 6 milionë euro. Futbollisti 23-vjeçar ndodhet në Milano ku pritet finalizimi i marrëveshjes dhe prezantimi i tij si lojtar i Sasuolos këtë të martë. Bajrami ka qenë një nga lojtarët më cilësorë të Empolit në dy sezonet e fundit, ndërsa vitin e kaluar luajti në krah të Kristjan Asllanit, që u transferua në verë tek Interi. Në Serinë A, mesfushori kuqezi ka luajtur 54 ndeshje duke shënuar 7 gola e duke shërbyer 8 asistë. Duke qenë 23 vjeç ai i ka të gjitha mundësitë që në të ardhmen të pretendojë një skuadër edhe më të madhe, por për momentin duhet të arrijë suksesin me Sasuolon.
Sfidanti.al