Në Spanjë thonë se Reali fitoi derbin dhe gjysmën e La Ligës!

Natyrisht ishte një sukses i madh, një i tillë që tregon se qetësia dhe kompetenca e trajnerit Karlo Ançeloti po i bën shumë mirë ekipit “merenges”. Reali triumfoi 2-0 në “Bernabeu” ndaj Atletikos, duke marrë me meritë derbin dhe të gjitha lavdërimet e rastit. “U fitua derbi dhe gjysma e La Ligës”, – komentoi “Marka” sipas zhargonit të njohur kastilian. “Reali ka lojtarin më të mirë në botë”, – vazhdoi kjo e përditshme duke e pasur fjalën për Vinisiusin që vërtet shkëlqeu. Publiku në “Santiago Bernabeu” nisi të tallej me trajnerin kundërshtar, Diego Pablo Simeone, duke thirrur “Çolo, mos u largo”.

Lavde edhe për Karim Benzemanë, autor të një goli me gjuajtje në ajër, por që pastaj u zëvendësua në pushim. Golin tjetër e shënoi Marko Asensio. Suksesi bëri që Reali ta lerë Atletikon 13 pikë prapa, ndonëse bardhekuqtë kanë një ndeshje më shumë për të luajtur. Edhe diferenca me vendin e dytë, Seviljen, është paksa e gënjeshtërt sepse vërtet janë 8 pikë, por ndjekësit kanë një ndeshje në dorë dhe mund ta ngushtojnë në 5. Sidoqoftë, bën përshtypje epërsia ndaj Barcelonës, plot 18 pikë, edhe pse katalanasit gjithashtu kanë luajtur një ndeshje më pak. Reali ka 42 pikë dhe golaverazhin më të mirë, 39-15.

Sfidanti.al