Ai që kaloi, 2022-shi, ishte një zhgënjim. Vërtet, titulli kampion mbeti në Mynih, por Bajerni nuk bëri më shumë se kaq, duke u eliminuar papritur në çerekfinale të Championsit nga Vijarreali e duke dështuar në Kupën e Gjermanisë. Gjithsesi, në Bavari mendojnë se 2023-shi do të jetë shumë më i mirë, pavarësisht dëmtimit të Manuel Nojerit. Tifozët dhe mediat presin një reagim nga ekipi pas dështimeve të vjetshme, ndërsa këtë sezon dëmtimet kanë qenë më të pakta, pavarësisht asaj që i ndodhi kapitenit apo Lykas Hernandezit.
Lojtarë si Musiala, Kimih, Gorecka, Gnabri, por edhe Mane, janë garanci për suksesin, ashtu si Upamekano, Dejvis. Trajneri Nagelsman ia ka marrë dorën ekipit dhe skemat e tij i përshtaten më shumë lojtarëve. E vërtetë që në Champions do të jetë që në fillim e vështirë, në raundin e dytë ndaj Paris SG, por Bajerni do të jetë i motivuar për revanshin pas eliminimit të padrejtë të dy viteve më parë.
Sfidanti.al