Napoli mund të jetë i lumtur edhe në kohë kaq të vështira. Skuadra e Xhenaro Gatuzos mund të kthehet në stërvitje e para në Itali, pasi autoritetet vendore vendosën zyrtarisht se kjo gjë mund të bëhet, pavarësisht se nën masa të forta sigurie. Rajoni i Kampanias e jep lejen, pra në fushën stërvitore do të jetë nga e hëna edhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Bashkë me krahinën e Italisë së Jugut, lejen e jep edhe ajo e Qendrës, dhe pikërisht rajoni i Lacios, që përfshin kryeqytetin Romë. Dy skuadrat e qytetit mund të ushtrohen, po ashtu, pra Roma dhe Lacio.
Në të njëjtën linjë edhe krahina e Emilio-Romanjës, e cila e mori vendimin përpara krahinës së kryeqytetit. Kjo do të thotë se 3 skuadra të këtij rajoni, dhe pikërisht Bolonja, Parma dhe SPAL-i i Ferrarës, mund të stërviten. Pavarësisht se gjendja duket sikur po lehtësohet, sërish jo që të gjithë janë të kënaqur, pasi situata është e ndryshme në krahina të ndryshme. Trajneri i Fiorentinës, Bepe Iakini, ka ngritur zërin dhe është ankuar. “Do të ishte antipatike që të lejoheshin stërvitjet në disa rajone, dhe të mos lejoheshin në disa të tjerë, – u shpreh ai, – klubet e veriut kanë pasur më shumë probleme me virusin. Duhet të nisim të gjithë njësoj, dhe të jemi të përgatitur të gjithë njësoj”.
Sfidanti.al