Në Gjermani nxjerrin të fshehtat e Uli Hënesit me Hansi Flikun!

Një njeri me përvojën e tij natyrisht që mund të bëjë mrekulli, aty ku të tjerët nuk shohin ndonjë mundësi. Uli Hënes nuk është më president i Bajernit të Mynihut, por ditët e fundit në Gjermani po analizohet edhe një herë ndikimi i tij, sidomos ai gjatë muajve të fundit të presidencës. Ish-ylli i fushës me Bajernin dhe Gjermaninë, ish-menaxheri i klubit e pastaj numri 1 i tij, bëri lëvizjen e tij mjeshtërore me Hansi Flikun.

Siç zbulon tabloidi “Bild”, ishte Hënesi ai që bindi Bajernin që të merrte Hansi Flikun si ndihmëstrajner, duke bindur edhe Niko Kovaçin. Kur Fliku mbërriti në Mynih, presidenti e ftoi në shtëpinë e tij, një veprim që flet shumë. Më pas, ndërsa Kovaçi hyri në rrugën pa kthim të ndarjes nga klubi, ishte sërish Hënes që propozoi Flikun si trajner. Në mars të këtij viti, kur nuk ishte më presidenti, 67-vjeçari nxiti “nga larg” Karl-Hajnc Rumenigen që t’i jepte kontratë beniaminit të tij. Kjo ndodhi pas sukseseve në Europë e në Bundesligë, dhe nuk harrohet stilolapsi-dhuratë që Rumenige i dha trajnerit. Sot, Bajerni është një shoqëri e lumtur me fitoren e Championsit, Bundesligës e Kupës së Gjermanisë, ndërsa do të kërkojë edhe Superkupën e Europës, si dhe Kupën e Botës për klubet. Uli Hënesi sot po kujtohet më shumë se kurrë në Bavari.

Sfidanti.al