Nuk është gjithnjë e rëndësishme dëshira e trajnerit, apo fakti që një patriot i yti të pret në klubin e ri. Po ashtu, as edhe kampionati se ku do të luash. Marash Kumbulla u diskutua si lojtar i Interit e Lacios, madje edhe u “dha” në Premier Ligë, por përfundimisht Verona ra dakord që t’ia dorëzonte Romës kartonin e tij, pasi kryeqytetasit paguan atë që kërkohej, 30 milionë euro. Asnjë klub tjetër nuk iu afrua kësaj shifre, duke u përpjekur të bënin marrëveshje nëpërmjet shkëmbimit të lojtarëve. Vetë mbrojtësi i qendrës i kombëtares shqiptare do të marrë 2 milionë euro në sezon, bashkë me shpërblimet, siç konfirmohet nga agjenti i tij, Xhani Vitali, që bisedoi me Paolo Busardon e Romës. Futbollisti 20-vjeçar do të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare, dhe një arsye tjetër e fortë që pranoi Romën ishte se në “Olimpiko” do të ketë më shumë mundësi të jetë titullar sesa të themi, tek Interi.
Sfidanti.al