Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë padyshim futbollistët më të mirë në botë, ndërkohë që Eden Azari. Kilian Mbape dhe Nejmari janë virtuozët e futbollit që presupozohet se do të trashëgojnë dy yjet e lartpërmendur, por ama në botë nuk ka futbollist tjetër që “të ketë korrur” kaq shumë trofe sa braziliani Dani Alvesh që, pasi fitoi me Brazilin Kupën e Amerikës, e çoi numrin e trofeve të fituar nga ai deri te shifra magjike – 40!
Nëse në botë ka ndonjë sinonim për futbollistin që është i destinuar, pra i paracaktuar që të fitojë tituj dhe trofe, ky është Dani Alvesh. Në karrierën e tij të pasur, duke filluar nga Bana dhe duke vazhduar te Sevilja e Barcelona dhe Juventusi e PSZH-ja, si edhe me 114 ndeshjet me përfaqësuesen braziliane, ai ka koleksionuar gjithsej 40 trofe.
Alveshi, në fakt, më shumë trofe ka fituar me Barcelonën – 23, ndërsa me Brazilin Kupa e Amerikës ishte trofeu i pestë (i dyti i tij në këtë Kupë), ndërkohë që ai ka fituar dy Kupa Konfederate dhe një titull kampion bote me përfaqësuesen e të rinjve.
Dani Alvesh që tani për tani nuk ka klub, u shpall futbollisti më i mirë i Kupës së Amerikës.
Sfidanti.al