Ndryshimi mes Mesit dhe Ibrës? i pari pranon se është vetëm futbollist!

Milani ka ekzistuar e ka fituar shumë kohë përpara sesa Zllatan Ibrahimoviç të lindte, të mësonte të “lidhte brekët e veta”, dhe përpara se të hynte në futboll. Gjithsesi, jetojmë në një moment kur klubi i madh italian ka rënë jo pak “nga vafti”, ndërsa një yll si Ibra vazhdon të shkëlqejë. Gjithsesi, ky shkëlqim nuk besohet se mjafton për të na bërë “syleshë”, dhe për të mos kuptuar se gjigandi suedez po bëhet te kuqezinjtë si ai “kungulli” që “po zë gardhin”.

“Unë jam edhe president, edhe trajner i kësaj skuadre, edhe lojtar por ata më paguajnë vetëm si lojtar”, – ishte deklarata e tij, që besohet se nga çdo njeri me logjikë do të cilësohej si SKANDALOZE. Ndoshta, drejtuesit e klubit dhe Stefano Pioli duhet t’ia thonë se ai nuk është asgjë më shumë sesa lojtar, ndonëse një lojtar udhëheqës. Po ashtu, Zllatani nuk e mbajti aspak gojën kur komentoi për afrimin e drejtuesit të ri teknik (drejtor apo trajner, do ta shohim), Ralf Rangnik. “Kush është ky, se unë nuk e njoh?” – ishte deklarata tjetër në intervistën për “La Gazeta delo Sportin”. Sa keq për shumicën e njerëzve të futbollit që Ibra nuk i njeh, por që nuk ngurron t’i ofendojë.

Ibrahimoviç mendon se nëse ai mbetet tek Milani, klubi do të jetë sërish i madh, ose ndryshe do të humbasë tifozët. Me gjasë, Berluskoni, Galiani, Saki, Kapelo apo Ançeloti mund t’i thonë se Milani ishte i madh dikur sepse kishte fuqi financiare për të konkurruar dhe sot nuk e ka, ndërsa lojtarë si Ibra nuk luajnë thjesht për pasion, siç pretendon ai, por për të fituar trofe dhe miliona! Ata shkojnë atje ku mendojnë se fitojnë.

Sfidanti.al