Napoli shtyn festën e titullit, Salernitana e ndal 1-1!

Me mijëra tifozë ishin mbledhur rreth e rrotull stadiumit. Në impiantin me emrin “Maradona”, Napoli kishte ditën për t’u shpallur kampion, por festa nuk u arrit të realizohej. Fajtor për dështimin, që nuk është përfundimtar, ishte vetë skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti, që e zhgënjeu qytetin e vet, të paktën këtë të diel. Gjithçka u duk se po shkonte siç duhet kur në ndeshjen e luajtur më herët në Serinë A, Interi triumfoi 3-1 ndaj Lacios në “San Siro”, duke i dhënë mundësi Napolit që të fitonte titullin nëse do ta mundte Salernitanën. Edhe pse duel i fortë, sërish zikaltërit ia dolën me golat e shënuar nga Lautaro Martinez, Robin Gosens dhe sërish Lautaro Martinez, duke përmbysur rezultatin. Sidoqoftë, napolitanët e Spaletit treguan se nuk ditën sesi ta luanin sfidën vendimtare.

Në “Maradona” u luajt një ndeshje e lodhur, kur vendasit as nuk po sulmonin dhe as nuk po mbroheshin. Megjithatë, kur Matias Oliveira kaloi të kaltrit në epërsi, gjithçka u duk e përfunduar dhe të gjithë u bënë gati për kremtimet. Nuk ishte shaka, do të fitohej titulli i parë pas 32 viteve, pas epokës së papërsëritshme të Maradonës. E keqja ishte pas dere, dhe ndodh kur nuk di të mbyllësh ndeshjet. Salernitana barazoi në 84’ me golin e shënuar nga Bulaje Dia, dhe përpjekjet e mëvonshme të Napolit nuk dhanë rezultat. Festa, pavarësisht kësaj, është shtyrë me vetëm me disa ditë, ndoshta deri në 4 maj kur kryesuesit luajnë në fushën e Udinezes.

Sfidanti.al