Napoli shkatërron Juventusin dhe “sheh” titullin, shënon edhe Rrahmani!

As tifozët më të zjarrtë të Napolit nuk e mendonin se skuadra e tyre do të arrinte një fitore të jashtëzakonshme ndaj Juventusit në atë që quhej sfida e kreut në Serinë A. Gjithsesi, skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti jo vetëm që mori tri pikët, por edhe e bëri në mënyrën më spektakolare të mundshme, me shifrat 5-1. Mbi 60 000 tifozë në stadiumin “Maradona” festuan si kurrë ndonjëherë, ndërsa ekipi i tyre i zemrës u shkëput edhe më shumë në krye të kampionatit, duke pasur tani 10 pikë më shumë sesa Juventusi. Në listën e shënuesve ishte edhe mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, që disa vjet më parë ka luajtur për Partizanin në Superligën shqiptare. Juventusi e pati të pamundur të përballonte nivelin e rivalëve, edhe pse dorëzimi erdhi në pjesën e dytë. Me këtë fitore, Napoli rrit edhe më shumë shanset për të fituar Serinë A për herë të parë që nga koha e Maradonës, mbi 30 vjet të shkuara.

Sfidanti.al