Napoli, Rrahmani: U ndëshkuam me kundërsulm

Napoli nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Unionit të Berlinit, sfidë e vlefshme për Grupin C të Champions League. Një sfidë që zhgënjeu të pranishmit në stadiumin “Diego Maradona”, të cilët kërkonin me patjetër tre pikët për t’u kualifikuar. Pas ndeshjes, Amir Rrahmani u mundua të shpjegonte këtë “hap fals” të Napolit ndërsa theksoi se të kaltërit pësuan gol duke qenë se ishin të orientuar drejt sulmit. “Goli i barazimit? Ishte një goditje këndi në favorin tonë, mund të shënonim të dytin, por e pësuam në kundërsulm. Nuk ishim mjaftueshëm të organizuar në mbrojtje. Golin e pësuam në fillimin e pjesës së dytë dhe më pas tentuam me gjithë mundësitë për të shënuar sërish. Nuk ia dolëm, madje lamë shumë hapësira në prapavijë, por kjo erdhi vetëm si pasojë e dëshirëss së madhe për të fituar. Jemi në vend të dytë në grup, por mungon shumë pak për t’u kualifikuar dhe kjo është e rëndësishme. Futbolli kështu e ka, nëse nuk e mbyll ndeshjen atëherë e pëson. Duhet të mësojmë nga gabimet”, u shpreh Rrahmani.

Kapiteni i Kosovës tha se ka akoma dyshime nëse do të bashkohet me Dardanët për ndeshjen e të dielës ndaj Izraelit, apo do të qëndrojë në Napoli për të luajtur sfidën e kampionatit italian ndaj Empolit. “Është një çështje për të cilën po diskutojmë dhe nuk kemi marrë ende një vendim. Po flasim me klubin dhe federatën”, u shpreh Rrahmani.

sfidanti.al