Ishte një dorëzim i madh, ashtu si sezoni tepër i madh që ka zhvilluar deri tani. Napoli i vitit të jashtëzakonshëm në Serinë A, kapitulloi po në mënyrë të jashtëzakonshme, me një humbje që as nuk mendohej në Firence, 0-3 ndaj Fiorentinës. Zhovani Simeone, djali i Diego Pablo Simeones, ishte autor i të tre golave në stadiumin “Artemio Franki”, me skuadrën fiorentine që nderoi kampionatin.
Gjykimi ishte i pamëshirshëm për ekipin e Sarrit, duke përjashtuar (me të drejtë) Kulibalin që në minutën e 6-të, në një skenar të favorshëm për rivalin Juventus, i cili pati skenar të favorshëm edhe në ndeshjen e së shtunës ndaj Interit në “San Siro”, me karton të kuq (të tepruar) ndaj intervistëve dhe karton të kuq të padhënë për Miralem Pjaniçin.
Humbi Mauricio Sarri, “Robin Hudi” i Serisë A, në krye të “bandës” së tij napolitane. Nuk mundi të kishte një lojtar jashtë serie siç e pati Napoli i viteve 1984-1991 Diego Armando Maradonën. Tashmë, Juvja është 4 pikë larg kur duhen edhe 3 javë deri në përfundim, dhe gjithçka duket e përfunduar. Sidoqoftë, Napoli duhet të ndihet kampion. Në një kampionat më pak të pabarabartë (“në të gjithë aspektet”, do të thoshte Sarri), dhe në një botë më të barabartë, padyshim që ky Napoli do t’ia kishte dalë.
Sfidanti.al