Ndeshje e re, histori e vjetër. E tillë përballja e radhës e Paris Sen Zhermenit në Ligën e Kampionëve, ku fitues doli një emër i madh si Bajerni. Bavarezët triumfuan 2-0 në sfidën e dytë në “Alianc Arenë”, pasi kishin bërë detyrën edhe në “Parkun e Princave” në Francë. Skuadra gjermane mund të mburret se e kontrolloi situatën, pavarësisht mungesave të shumta sidomos në mbrojtje, duke bllokuar dy yje të mëdhenj si Lionel Mesi dhe Kilian Mbape. Bajerni, pesë herë kampion i Europës, është tani mes 8 më të mirëve të Championsit dhe ambiciet janë të mëdha, edhe pse sezoni nuk ka qenë i lehtë në Bundesligë.
Trajneri Nagelsman bëri këtë analizë. “Ne ishim në gjendje që ta kontrollonim PSG-në me planin tonë, që nuk e lejoi kundërshtarin të shfrytëzonte cilësitë dhe mundësitë e tij, – ishin fjalët e tij, – Fakti që Mbapeja e pati të vështirë tregon se ne ishim në lartësinë e duhur. Në të dyja ndeshjet ne ishim në kontroll të situatës. Natyrisht, nuk ishte e lehtë dhe PSG-ja ishte e rrezikshme sidomos në pjesën e parë. Në pushim të ndeshjes ne bëmë ndryshimet e duhura dhe ishim më të organizuar dhe më të disiplinuar”.
Sfidanti.al