Për kombëtaren pati probleme fizike dhe nuk arriti të aktivizohej në ndeshjet e Ligës së Kombeve në Kazakistan dhe Lituani. Gjithsesi, kanë kaluar mjaft ditë dhe Myrto Uzuni e ka marrë veten e duket i gatshëm për ndeshjen e parë të jetës, atë në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës në Champions. Ferencvaroshi i tij u kthye në Ligën e Kampionëve pas 25 vitesh dhe sulmuesi shqiptar dha ndihmën e tij të çmuar, ndërsa trajneri ukrainas, Serhij Rebrov, mendon ta hedhë titullar. Kështu shkruan një pjesë e mediave, ndonëse e përditshmja “AS” e Madridit e jep Uzunin në stol. Gjithsesi, ai do të luajë pjesën e tij dhe do të ketë takimin me Lionel Mesin, i cili nuk ka dashur të humbasë ndeshjen e Championsit edhe pse trajneri i Barcelonës, Kuman, ka vendosur të bëjë rotacion. Ku i dihet, ndoshta Uzuni shënon në stadiumin mitik, siç ka bërë Vasil Ruci 33 vjet më parë me fanelën e Flamurtarit.
Sfidanti.al