Ka nisur pikërisht kështu, me njerëzit e fabrikave që donin një kënaqësi të rrallë në jetë dhe e gjenin fundjavave duke luajtur këtë sport. Futbolli lindi në këtë mënyrë në Angli, në Skoci e në gjithë Britaninë e Madhe, por sot nuk jeton më si i tillë. Ata që e luajnë janë milionerë, ndërsa ata që e shikojnë janë njerëz të thjeshtë (në shumicë), të cilët Premier Liga do t’i “shtrydhë” duke i kërkuar gati nga 15 paundë stërlina për çdo ndeshje që jepet në internet. Ish-trajneri i Kroacisë, sot teknik i Uest Bromit, kujton rrënjët e futbollit dhe bën një qortim. “Futbolli është sport i klasës punëtore ,- u shpreh kroati, – dhe duhet të jetë i përballueshëm (për ta shikuar) nga gjithkush. Unë nuk po them që të jetë krejtësisht falas, por të jetë i përballueshëm. Futbolli nuk është polo, as golf”. Këto janë kohë të shkuara i dashur Biliç. Në vitet 1950-të, trajneri i Mançester Junajtidit, Mat Basbi, i thoshte yjeve të tij ndërsa shikonte oxhaqet e uzinave që nga qendra stërvitore: “Të shtunën, ju duhet të luani për këta!” Pra për punëtorët, ndërsa sot ata do të luajnë vetëm për vete.
Sfidanti.al