Murinjo në spektaklin e radhës, sherr me kolegët dhe tre gishat për tifozët

Një fund tepër i keq, por jo për rezultatin. Barazimi 2-2 në fushën e Çelsit padyshim mund të pranohet, por jo festimi i një kundërshtari mu nën hundën tënde. Zhoze Murinjo reagoi duke dalë jashtë kontrollit, pas provokimit të ndihmëstrajnerit të Çelsit, Marko Iani, ndërsa Çelsi sapo kishte barazuar ndaj Mançester Junajtidit në “Stemford Brixh”.

U desh ndërhyrja e njerëzve të sigurisë, që Murinjo të mos shkonte për t’u zënë fizikisht me Ianin, ndërsa trajneri i Çelsit, Mauricio Sarri, i kërkoi falje portugezit për sjelljen e ndihmësit të tij. Pasditja ishte tepër e ngarkuar me emocione dhe stres për 55-vjeçarin, që u kthye sërish në stadiumin ku dikur ishte “I veçanti”.

Nuk mjaftoi sherri, por u deshën edhe talljet e tifozëve londinezë, të cilëve ai iu përgjigj duke ngritur tre gishta lart ndërsa dilte nga stadiumi, për t’iu kujtuar tre titujt e fituar nga ai me skuadrën e tyre të zemrës.

E gjitha kjo, sidoqoftë, nuk e zbriti në plan të dytë ndeshjen, që ishte vërtet e fortë, e denjë për ajkën e Premier Ligës. Çelsi u duk se ishte në kontroll kur kaloi në epërsi me anë të mbrojtësit Rydiger, pas një gabimi të Pol Pogbasë, që mesiguri do ta ketë zemëruar shumë Murinjon.

Ndryshe nga sa pritej, Mançester Junajtid nuk u dorëzua dhe reagoi fuqishëm, ashtu siç bëri edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Njukasëllit në “Old Traford”.

A nuk thuhet se lojtarët nuk luajnë për trajnerin e tyre? Atëherë si ka mundësi që ata luftojnë fort për të kthyer humbjet në fitore? Besohet për shkak të egove personale, por edhe sepse janë pjesë e një klubi të madh.

Sulmuesi francez, Antoni Marsial, ishte autor i dy golave, pas pushimit, veçse nuk qe e thënë që Murinjo ta merrte fitoren për të cilën kishte aq shumë nevojë. Në minutën e gjashtë dhe të fundit shtesë, skuadra e Sarrit barazoi me anë të Ros Barklit.

Çelsi mbeti pranë kreut dhe pretendent për titull, ndërsa Junajtid nuk u largua dot nga mesi i tabelës në Premier Ligë, dhe rreziku i shkarkimit mbetet real për Murinjon.

Sfidanti.al