As Zhoze Murinjo nuk paska shpëtuar “pa u lagur” nga skandali i shmangies nga taksat. Trajneri i Mançester Junajtid është i akuzuar tashmë zyrtarisht nga autoritetet spanjolle për periudhën kur drejtonte Realin e Madridit. Shuma që dyshohet se i ka borxh shtetit spanjoll është 3.3 milionë euro, dhe i përket fitimeve të viteve 2011 e 2012. Prokuroria ka vendosur ta çojë çështjen në gjyq, ndërsa Murinjo po “ndjek gjurmët” e dy yjeve më të mëdhenj t futbollit, Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos, që të cilët kanë pasur përvoja të tilla përpara tij.
Mesi i kaloi etapat e gjyqit dhe u shpall fajtor, duke u detyruar të paguajë borxhin ndaj Spanjës, si dhe një gjobë, ndërsa edhe dënimi me 21 muaj burg iu kthye në gjobë, në bazë të një ligji favorizues. Në këtë rrugë besohet se do të shkojë edhe çështja e Ronaldos, që akuzohet se nuk ka paguar rreth 14 milionë euro tatime. Mendohet që as Ronaldo dhe as Murinjo nuk do të shkojnë në burg (ligji është rregulluar në atë mënyrë që të mos përfundojnë në qeli), por gjithsesi shteti do ta marrë atë që mendon se i përket.
Sfidanti.al