“Mirë se vjen sherifi ynë i ri, Diego Godin”, Interi merr një lider

Mosha mund të mos jetë ajo e përshtatshmja, por karakteri është kaq shumë sa nuk bëhet më shumë. Interi konfirmoi afrimin e ish-kapitenit të Atletikos së Madridit, Diego Godin, dhe 33-vjeçari pritet të jetë prijësi i mbrojtjes, pse jo edhe i gjithë skuadrës së Antonio Kontes. Uruguajani i dha fund një epoke të lavdishme në kryeqytetin e Spanjës, ku fitoi thuajse gjithçka dhe ku pati shiritin e kapitenit në dy finalet e Championsit, humbur për fat të keq ndaj Realit.

“Interi konfirmon arritjen e marrëveshjes me Diego Godinin deri në 30 qershor 2022”, – shkruhej në deklaratën e klubit italian. Godin luajti 389 ndeshje për Atletikon, më shumë se çdo lojtar i huaj në historinë e klubit, por vendosi të provonte një sfidë të re dhe të fortë në vitet e fundit të karrierës. “Sfidat e vështira të bëjnë që të forcohesh”, – deklaroi qendërmbrojtësi. Me ndihmën e tij, Antonio Konte shpreson ta udhëheqë skuadrën drejt titullit kampion në Serinë A, që do të ishte i pari për milanezët që nga koha e Zhoze Murinjos në 2010.

Sfidanti.al