Milionat nuk mjaftojnë për të fituar, Çelsi zhgënjen ndaj “çekiçëve” të Uest Hem

Çelsi ka qenë “mbreti” i merkatos në futbollin europian gjatë vitit të fundit, duke shpenzuar rreth 1 miliard euro për futbollistët e rinj. Por skuadra e cila tashmë drejtohet nga Mauricio Poçetino, vazhdon të vuajë në fushën e lojës në Premier Ligë.

Pas barazimit ndaj Liverpulit në javën e parë, sot ka ardhur edhe humbja e parë në kampionat, në fushën e Uest Hemit, ku ka kapitulluar me shifrat 3-1. Protagonisti i ndeshjes ishte Uard-Prous, afrimi më i rëndësishëm në merkato për vendasit, i cili në minutën e 7 gjeti Aguerd në zonë, për golin e avantazhit. Çelsi u përgjigj me Çukuemeka në minutën e 28, ndërsa Enzo Fernandez humbi penallti në minutën e 43-të të sfidës.

Me fillimin e pjesës së dytë, Antonio i dha avantazhin vendasve në minutën e 53-të, pas një tjetër asisti të Uard-Prous, teksa Aguerd la ekipin e tij me 10 lojtarë në minutën e 67. Por Uest Hemi rezistoi edhe në inferioritet numerik e për më tepër, në minutat shtesë të ndeshjes, vulosi fitoren 3-1 me golin me penallti të Lukas Paketa.

 

sfidanti.al