Milan, turpi i eleminimit mund të hahet me “bukë Championsi”

Për tifozët ishte një natë e zezë, kjo e eleminimit të Milanit nga Liga e Europës. Për shtatë herë kampionët e kontinentit është një njollë katastrofa në Greqi, ndërsa në Champions, Juventusi fluturon me Kristiano Ronaldon. Ku kanë përfunduar “mbretërit” e Italisë në Europë?

Goditja më e rëndë i bëhet moralit dhe besimit se kjo skuadër mund të bëhet. Kur nuk ia del në një grup me Betisin, Olimpiakosin dhe Dudelanzhin nga Luksemburgu, si i bëhet nëse do të luash me kundërshtarët e Napolit apo Interit? Disfata në Pire ishte 1-3, dhe erdhi në 30 minutat e fundit, madje në mënyrë të pabesueshme, pasi Milanit i mjaftonte edhe humbja me një gol diferencë. Protestat ishin të forta për penalltinë, besohet të padrejtë, dhënë për grekët në fund, por tashmë gjithçka ka përfunduar.

Milani nuk kishte fituar kurrë në Greqi, me përjashtim të finaleve si ato ndaj Barcelonës e Liverpulit në Champions, apo kundër Lidsit në Kupën e Kupave. Eleminimi erdhi si një goditje tjetër pas “inventarit” financiar, me 126 milionë euro humbje sezonin e fundit.

Sidoqoftë, largimi nga Liga e Europës mund të kthehet në “bonus” në Serinë A, në luftën për Championsin vitin tjetër. Skuadra e Gatuzos është në vend të katërt, pozicion që të kualifikon dhe duke pasur më pak ngarkesë europiane, mund të përgatitet më mirë për gjysmën e dytë të sezonit. Në fund të fundit, eleminimi nuk sjell humbje të mëdha financiare. Milani i ka fituar gati 10 milionë euro apo më shumë, ndërsa nëse shkonte deri në fund, mund të fitonte edhe 10 milionë të tjera.

Sfidanti.al