Mesi thyen rekordin e Pelesë, vazhdon duelin e golave me Ronaldon

Rekordet janë për t’u thyer dhe një tjetër u kalua. Lionel Mesi u kthye në shënuesin më të mirë në histori për ekipet kombëtare të Amerikës së Jugut, pas 3 golave të realizuar në ndeshjen e fundit eleminatore të Kupës së Botës. Kapiteni i Argjentinës shënoi të tre golat në fitoren 3-0 ndaj Bolivisë duke kaluar legjendën Pele. Braziliani kishte 77 rrjeta në karrierë me kombëtaren, ndërsa Mesi ka tani 79.

Ylli 34-vjeçar po tregon një formë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, ndërsa në korrik udhëhoqi Argjentinën në fitoren e Kupës së Amerikës, titulli i tij i parë me kombëtaren.

Njëkohësisht, Mesi po vazhdon duelin e golave me Kristiano Ronaldon, duke qenë dy nga lojtarët që kanë shënuar më shumë në historinë e futbollit. Gjithsesi, duhet thënë se Pele pati nevojë për shumë më pak ndeshje për të arritur rekordin e tij, vetëm 92 ndaj 153 që iu deshën argjentinasit. Me këtë fitore, Argjentina mban vendin e dytë në renditjen e eleminatoreve të Botërorit në Amerikën Latine, duke shkuar drejt kualifikimit për në fazën finale që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Katar.

Sfidanti.al