Në Katalonjë ka kënaqësi të madhe për fitoren e quajtur historike në Torino ndaj Juventusit, për zgjimin e Antuan Grizmanit dhe për klasin e Pedrit, por sidomos për Mesin dhe raportin e tij me trajnerin Ronald Kuman. Në përfundim të sfidës së Championsit, kapiteni dhe tekniku u përqafuan, dhe jo vetëm shtrënguan duart apo rrahën shuplakat, shenjë kjo se mes tyre ka jo vetëm normalitet, gjë për të cilën nuk shpresohej shumë, por edhe afrimitet.
Fitorja erdhi një ditë pas dorëheqjes së presidentit Bartomeu, armikut të Mesit, por edhe punëdhënësit të Kumanit, veçse kjo gjë duket e kaluara. Kumanin në detyrë e mbajnë rezultatet dhe nëse skuadra është me të, atëherë ai nuk mund t’i trembet shkarkimit. Nëse humbja në El Klasiko ishte një “këmbanë alarmi”, suksesi ndaj Juves ishte më shumë një deklaratë ambiciesh në Champions. Mesi, ndërkaq, feston faktin se është shënuesi më i mirë historik në fazën e grupeve të Championsit me 70 gola, ndërsa në renditjen e përgjithshme është i dyti me 117 rrjeta, pas Kristiano Ronaldos që ka 131 (ose 130).
Sfidanti.al