“Mesi dhe shokët e tij” i japin shpresë Kumanit tek Barcelona!

Kapiteni fantastik u kthye në fushë madje për 45 minuta dhe trajneri holandez deshi të jepte një mesazh se çarjet e ditëve të kaluara janë lënë pas. Barcelona fitoi 3-1 miqësoren me Gimnastikën e Taragonës, me kapitenin në fushë për një pjesë loje, dhe me disa tregues që i bënë tifozët të lumtur. Yjet e rinj si Trinkao apo Pedri luajtën shumë mirë dhe pritet që Barça të nisë një epokë tjetër, që nuk do të varet nga brezi i vjetër i Suarezit apo Busketsit. “Është shumë e rëndësishme që luajtëm shpejt, kjo është thelbësore, – tha Kumani, – kemi ndryshuar sistemin (4-2-3-1), por mendoj se kemi mesfushorë të mirë që mund ta luajnë atë. Pedri është vetëm 17 vjeç, por luan shumë mirë dhe Trinkao është një blerje e madhe”. Sa për Mesin, Kumani tha se “po tregon të njëjtin shpirt gare si ditën e parë, cilësinë e tij nuk ka nevojë ta komentojmë, por duhet përmirësuar fizikisht”.

Sfidanti.al